Karburanti 50 lekë/litër, fondi 209 milionë lekë/ Qeveria miraton kompensimin për transportin publik
Qeveria ka miratuar kompensimin financiar për kompanitë e transportit publik, në masën 50 lekë për çdo litër karburanti të konsumuar për të përballuar kostot e shkaktuara nga situata në tregun e hidrokarbureve.
Vendimi i miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave më 5 nëntor parashikon një fond prej 209 milionë lekësh nga rezerva e buxhetit të shtetit për vitin 2026. Nga kjo mbështetje do të përfitojnë shoqëritë që ofrojnë shërbimin e transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës.
Kompensimi do të jepet për karburantin e konsumuar gjatë periudhës qershor–tetor 2026. Sipas vendimit, sasia e karburantit që do të kompensohet nuk mund të tejkalojë 110% të konsumit mesatar mujor të regjistruar gjatë periudhës mars–maj 2026 për secilën kompani. Afati i fundit për dorëzimin e kërkesave është 16 nëntori 2026.