Dhuna policore ndaj protestuesve në Tiranë/ KShH bën thirrje për hetim të menjëhershëm
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka shprehur shqetësim serioz për dhunën policore ndaj protestuesve në Tiranë, veçanërisht ndaj të miturve, si dhe për shkeljet e mundshme të të drejtave të personave të privuar nga liria.
KShH bën thirrje për hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe efektiv të rasteve të raportuara, duke kërkuar që përgjegjësia të shqyrtohet jo vetëm për punonjësit që dyshohet se kanë ushtruar drejtpërdrejt dhunë, por edhe për drejtuesit dhe zinxhirin komandues, në përputhje me detyrimet ligjore.
Veçanërisht shqetësuese janë pretendimet e të arrestuarve për ushtrim dhune fizike gjatë arrestimit dhe pasi ishin shoqëruar në ambientet e policisë.
KShH dënon si aktet e dhunës gjatë protestave, ashtu edhe çdo përdorim të paligjshëm ose joproporcional të forcës nga autoritetet, duke theksuar se dhuna e ushtruar nga individë nuk mund të përdoret si justifikim për ndëshkimin kolektiv të protestuesve apo cenimin e të drejtave të personave të ndaluar.