Pas dhunës brutale, protestuesit thirrje policisë: Hiqni uniformat!
Protesta studentore, e cila ka hyrë në ditën e katërt, është shoqëruar me pjesëmarrje masive të të rinjve, të cilët kërkojnë largimin e menjëhershëm të kryeministrit Rama. Pas akteve të dhunës brutale dhe ndërhyrjeve të njëpasnjëshme të forcave të rendit, protestuesit kanë ngritur zërin me një thirrje të fortë drejtuar efektivëve.
Të indinjuar nga përdorimi i forcës, sprajit të piperit, ujit me presion dhe shoqërimeve të dhunshme, qytetarët i janë drejtuar policisë duke u bërë thirrje që të heqin uniformat, në shenjë proteste ndaj trajtimit të dhunshëm që iu është rezervuar gjatë tubimit.
Në protestë u regjistruan momente dhune brutale, ku mes tyre, një protestues i cili po qëndronte pa lëvizur u përplas me forcë në tokë dhe më pas u dhunua e tërhoq zvarrë, teksa ende shkelmohej.
Edhe nxënës të shkollave të mesme dhe studentë universitarë kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në rrugë në Korçë, Pogradec, Lezhë, Shkodër, Burrel, Laç, Elbasan, Vlorë.
Në Korçë, të rinjtë kanë ngritur shqetësimin se Shqipëria nuk u ofron një të ardhme të sigurt, duke vënë në dukje pagat e ulëta dhe pasigurinë në tregun e punës. Një i mitur u mor me dhunë nga policë civilë dhe u fut forcërisht në furgon, ndërsa një avokat ndërhyri për ta mbrojtur sepse bëhej fjalë për fëmijë që po i shoqëronin me dhunë.