Rregullat e sjelljes brenda dhe jashtë institucionit/ Ministria e Arsimit miraton Kodin e Etikës
Nëpunësit që duan të kryejnë veprimtari të jashtme përveç punës në Ministrinë e Arsimit duhet të marrin aprovim me shkrim nga eprori, pas verifikimit nëse është e lejueshme ose jo.
Ministrja Mirela Kumbaro ka miratuar Kodin e Etikës, ku të gjithë nëpunësit do të duhet të zbatojnë rregullat e sjelljes brenda dhe jashtë institucionit, me qëllimin për të mos cënuar imazhin e administratës.
Paraqitja në punë kërkohet të jetë serioze, ku nuk do të pranohet veshja ekstravagante, sportive apo makiazhi i tepruar. Gjithashtu, nëpunësi nuk duhet të mbajë veshje, simbole ose elemente të tjera që shfaqin bindje politike.
Sjellja nuk duhet të udhëhiqet nga interesat private apo nga ndikimi politik gjatë proceseve vendimmarrëse. Nëpunësi duhet të kërkojë përjashtimin kur konstaton konflikt të mundshëm interesi. Një tjetër pikë në Kod është sinjalizimi i korrupsionit, ku do të garantohet mbrojtja e konfidencialitetit të nëpunësit që raporton shkelje të ligjit gjatë detyrës.
Gjatë mbledhjeve me Ministrin, Sekretarin e Përgjithshëm, drejtuesit e tjerë, telefoni duhet të jetë i fikur ose në modalitet pa zë, përveç rasteve kur përdorimi i tij është autorizuar nga drejtuesi i mbledhjes.