Më pak vende pune dhe kompani/ Sektori i Manifakturës propozon masa në Paketën Fiskale 2027
Industria e manifakturës po përballet me një nga periudhat më të vështira, ndërsa sektori i fasonerisë vijon të humbasë vende pune dhe kompani.
Nga rreth 65 mijë punonjës që kishte dikur kjo industri, sot numri ka zbritur në rreth 40 mijë. Shoqata “Manifaktura Shqiptare” deklaroi se nga rreth 700 njësi fasonerie që kanë qenë pjesë e saj, rreth 150 janë mbyllur vitet e fundit.
Rënia e euros, rritja e çmimit të naftës dhe kostot e prodhimit kanë ndikuar drejtpërdrejt në aktivitetin e fasonerive dhe në marrëdhëniet me partnerët e huaj.
Përballë kësaj situate, “Manifaktura Shqiptare” ka propozuar gjashtë masa për t’u përfshirë në Paketën Fiskale 2027, mes tyre lehtësimin e kostos së punës, rritjen e amortizimit fiskal, uljen e tarifave doganore për lëndët e para, lehtësira për fitimin e riinvestuar dhe krijimin e një fondi grantesh për teknologjinë dhe automatizimin.