Buxheti 2027/ 56 miliardë lekë për bashkitë, përfitojnë edhe ato që shkrihen
15 bashki marrin para nga buxheti i shtetit për herë të fundit në 2027-ën dhe do të mund t’i përdorin ato deri në shtator të vitit të ardhshëm, dhe më pas fondet do t’u kalojnë bashkive të reja që do të krijohen në vjeshtën e ardhshme.
Bashkitë do të menaxhojnë vitin e ardhshëm një buxhet prej 114 miliardë lekësh, ku gati gjysma e fondeve rreth 56 miliardë lekë është transfertë nga buxheti i shtetit. Prej këtij fondi rreth 6 miliardë lekë u jepen 15 bashkive që pritet të mbeten vetëm qytete në kuadër të reformës së re territoriale.
Kështu, bashkia Maliq që merr 796 milionë lekë transfertë për 2027, vlera më e lartë kjo në raport me të tjerat që shkrihen, do t’i shpenzojë deri në shtator. Pjesën e mbetur do t’ia kalojë bashkisë së Korçës, ndërsa vetë Maliqi mbetet vetëm qytet. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me njësitë vendore të tjera të cilat, fondet e papërdoruara ia transferojnë bashkive pritëse.