Rritet akciza e duhanit nga 2027
Paketat e cigareve në Shqipëri do të kushtojnë më shumë, gati sa në vendet e Bashkimit Europian. Nga rreth 300 lekë ato mesatare dhe 400 ato më të shtrenjta, duhani do të shtrenjtohet me mesatarisht 15 lekë çdo vit. Kjo për shkak të akcizës së duhanit, një lloj takse që rritet çdo vit me kalendarin e ri të hartuar nga Ministria e Financave. Nga 7 mijë e 750 lekë për çdo 1 mijë fije cigare aktualisht, çmimi rritet në 8 mijë e 100 lekë në 2027. Në vitin 2033 çmimi bëhet 9 mijë e 150 lekë, plus 5 për qind të çmimit të shitjes me pakicë.
Deri në vitin 2033 dyfishohet edhe akciza për duhanet me nikotinë lëng. Nga 24 lekë për mililitër, çmimi do të arrijë në 48 lekë për mililitër.
Ndërkohë duhani me ngrohje nga 9 mijë e 450 lekë në 2027-n do të shkojë në plotë 13 mijë e 650 lekë për kilogramë në 2033-shin.
Kalendari i ri i akcizës rrit edhe çmimin e shishave dhe nargjileve të cilat nga 2 mijë e 213 lekë për kilogramë do të kushtojnë 2 mijë e 363 lekë në vitin 2033.
Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë se në gjysmën e parë të vitit u importuan gati 1 mijë e 700 ton cigare. Në raport me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë importet e duhanit u zgjeruan me gati 200 tonë.