Një vit pas armëpushimit/ Në Gaza ”paqja’’ mes plumbave
Një vit më parë, bota besoi se Gaza po dilte nga makthi i luftës. Armëpushimi i presidentit amerikan Donald Trump premtonte fundin e gjakderdhjes, kthimin e pengjeve dhe nisjen e rindërtimit. Por sot, pas këtyre premtimeve, Gaza vazhdon të jetojë mes rrënojave, urisë dhe pasigurisë.
Shtëpitë janë shndërruar në varre betoni, familjet janë dëbuar nga vendbanimet e tyre dhe fëmijët, në vend që të kthehen në shkolla, detyrohen të kërkojnë ujë për të mbijetuar.
Armët nuk kanë heshtur plotësisht dhe paqja mbetet një fjalë që palestinezët e dëgjojnë më shumë në deklarata sesa e përjetojnë në jetën e tyre të përditshme.
Në këtë realitet, pyetja e parë nuk është se kur do të rindërtohet Gaza, por si mund të flitet për paqe kur mbijetesa mbetet ende një betejë e përditshme.
Në dokumentet diplomatike, Gaza është në armëpushim. Në terren, realiteti tregon një histori tjetër. Sulmet izraelite vazhdojnë, ndërtesat shemben dhe civilët vijojnë të humbasin jetën, ndërsa miliona njerëz jetojnë nën kërcënimin e dhunës që mund të shpërthejë në çdo moment.