Taksa për apartamentet mund të nxitë daljen në treg të dhjetëra mijëra pronave
Taksa e re për apartamentet bosh mund të sjellë ndryshime të rëndësishme në tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri, duke nxitur pronarët të nxjerrin pronat e tyre në shitje ose me qira. Eksperti i pasurive të paluajtshme, Armand Shkembi, në një intervistë, vlerëson se kjo masë mund të ndihmojë në çlirimin e tregut dhe në uljen e çmimeve, nëse zbatohet me një nivel të përshtatshëm taksimi.
Sipas tij, aktualisht taksimi i pasurive të paluajtshme në Shqipëri është shumë i ulët, çka nuk i nxit pronarët t’i japin apartamentet me qira apo t’i nxjerrin në shitje.
Sa i përket mënyrës së identifikimit të apartamenteve bosh, Shkëmbi shprehet se një nga alternativat më praktike mund të jetë verifikimi i konsumit të ujit dhe energjisë elektrike.
Eksperti deklaron se shumë qytetarë i shohin apartamentet si një investim që vetëm rritet në vlerë, pa pasur domosdoshmërisht interes për t’i dhënë me qira apo për t’i shitur. Ai e konsideron taksën për apartamentet bosh një mekanizëm që mund të vërë në lëvizje kapitalin e bllokuar në prona.