Paketa Fiskale 2027/ Tatimi mbi dividendin nga 8% në 15%. Ndyshimet ligjore që parandalojnë shmangien
Bizneset nuk do të mund të shmangin tatimin mbi dividendin duke ua kaluar fitimet ortakëve apo aksionarëve në formën e huave, paradhënieve apo financimeve të tjera që nuk përfaqësojnë transaksione reale.
Paketa e re fiskale për vitin 2027, që parashikon rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, përfshin edhe ndryshime ligjore për të parandaluar shpërndarjen e tërthortë të fitimit pa paguar tatimin përkatës.
Rritja e propozuar e tatimit mbi dividendin vjen 8 vjet pasi norma u ul nga 15% në 8%, duke filluar nga janari i vitit 2019.
Tashmë që qeveria propozon rikthimin e normës prej 15%, po merr edhe masa për të kufizuar mundësitë e shmangies së tatimit, përmes kalimit të fitimeve te ortakët apo aksionarët në forma të tjera financimi.