Varësi nga importet/ KLSH: Midis 2020-2025, 2.1 milionë tonë drithëra, shumica me origjinë nga Serbia dhe Rusia
Shqipëria ka krijuar varësi nga importi i drithërave. Sipas KLSH, nga viti 2020-2025, në vendin tonë kanë hyrë 2.1 milionë tonë drithëra, ku si vende origjine, 1.5 milionë tonë drithëra kanë Serbinë dhe Rusinë.
Auditimi i KLSH-së fakton se laboratorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit nuk analizojnë të gjithë treguesit e sigurisë ushqimore për drithërat. Ekzaminimi i lagështirës dhe aciditetit tregon shumë pak për cilësinë e grurit apo miellit që do të përdorin furrat e bukës.
Mangësitë e ekzaminimit të drithërave shtrihen edhe në Pikat e Inspektimit Kufitar, të cilat nuk janë të pajisura me infrastrukturën e nevojshme për të garantuar kontroll fizik efektiv në lidhje me sigurinë ushqimore në fushën e drithërave.
Para kësaj situate, kontrolli fizik realizohet në terren të hapur. Mungesa e magazinave në shumë raste e detyron AKU-në të shkelë vetë ligjet e sigurisë ushqimore.
Shqiptarët janë të detyruar të ushqehen me miell serb dhe rus, kjo pasi fermerët tanë tokat e bukës i kanë lënë djerrë si pasojë e kostove të larta të prodhimit.