Paketa e re fiskale/ Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm: Rritja e taksave rrezikon shtrenjtim të shërbimeve
Ndryshimet e propozuara në paketën e re fiskale të qeverisë pritet të rrisin ndjeshëm kostot për sektorin e hoteleri-turizmit edhe në të gjithë rajonin tone juglindor. Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm paralajmëron se rritja e taksave rrezikon të detyrojë operatorët të shtrenjtojnë shërbimet për turistët.
Nënkryetari i shoqatës, Bujar Muço bën me dije se ndryshimet e parashikuara përbëjnë një barrë të rëndë financiare për turizmin, si një sektor kyç të zhvillimit rajonal. Sipas tij, paketa parashikon rritjen e TVSH-së nga 6% në 10%, tatimin mbi dividendin nga 8% në 15%, si dhe tatimin mbi fitimin nga 15% në 17%, masa që godasin drejtpërdrejt bizneset e akomodimit dhe shërbimit.
Muço sqaron se strukturat akomoduese në Korçë përballen me një fluks vizitorësh kryesisht gjatë fundjavave dhe në këtë situatë, rritja e detyrimeve mund t’i detyrojë subjektet të rishikojnë çmimet e shërbimeve, gjë që rrezikon të ulë konsumin dhe numrin e vizitorëve.