34% e bashkive të vendit do të çojnë mbetjet në Shkodër
Shkodra parashikohet të jetë destinacioni kryesor për mbetjet e 21 bashkive në të gjithë vendin.
Sipas projektbuxhetit 2027, drejt zonës së menaxhimit të mbetjeve Shkodër do të orientohen jo vetëm bashkitë e veriut, por edhe bashkitë e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut dhe kjo ngre pikëpyetje për mënyrën e organizimit të transportit, distancat që duhet të përshkojnë mjetet dhe kostot financiare që do të krijohen për pushtetin vendor, për shkak edhe të kaosit në trafik.
Fondet shtesë për transportin e mbetjeve drejt Shkodrës do të akordohen në formën e transfertës së pakushtëzuar sektoriale. Shpërndarja sipas bashkive është mbështetur në dy kritere, sasinë vjetore të mbetjeve dhe kostot shtesë të transportit drejt pikave fundore të grumbullimit dhe përpunimit.
Buxheti i shtetit do të mbështesë financiarisht transportin e mbetjeve, por bashkitë do të duhet të kontribuojnë edhe me të ardhurat e tyre për të përballuar kostot.