Protestat, gjobat deri në 500,000 lekë dhe ndalohet fshehja e identitetit
Qeveria ka miratuar një Akt Normativ që sjell ndryshime të thella në ligjin nr. 8773 të vitit 2001, “Për tubimet”, ku në qendër është zgjerimi i kompetencave të Policisë së Shtetit për të ndaluar ose kufizuar protestat në raste të rrezikut të afërt për dhunë.
Akti parashikon që kur ka “rrezik real, serioz e të afërt” për dhunë apo dëmtim të pronës, drejtuesi i policisë vendore, me miratimin e prefektit, mund të vendosë kufizime të përkohshme rreth institucioneve arsimore, shëndetësore ose shtetërore për një afat deri në 72 orë.
Gjithashtu policia mund të urdhërojë individë specifikë të largohen nga zona si terminalet, portet, shkollat ose spitalet për një periudhë deri në 48 orë, nëse këta persona ushtrojnë dhunë, dëmtojnë pronën ose ngacmojnë qytetarët.
Një risi tjetër përfshin mbikëqyrjen e thirrjeve për dhunë përmes rrjeteve sociale, postës elektronike ose telefonatave gjatë organizimit të tubimeve. Policia e Shtetit do të identifikojë llogaritë ose numrat dhe do t’u dërgojë mbajtësve të tyre një kërkesë zyrtare për “fshirjen e përmbajtjes, si dhe mospërsëritjen e veprimeve të tilla”. Nëse përmbajtja nuk hiqet, policia ndermerr veprime të mëtejshme ligjore.
Gjithashtu pjesëmarrja në tubim të ndaluar ose mosbindja ndaj urdhrit për shpërndarje dënohet nga 10,000 deri në 100,000 lekë. Kur policia urdhëron shpërndarjen për shkak se tubimi kthehet në ngjarje të dhunshme, gjoba varion nga 20,000 në 200,000 lekë.
Fshehja e fytyrës (në kundërshtim me ligjin) gjobitet nga 10,000 në 100,000 lekë, përjashto rastet shëndetësore, fetare ose profesionale (gazetarë, mjekë).
Bllokimi i rrugëve automobilistike pa pasoja penale do të gjobitet me 5,000 lekë për çdo ditë bllokimi, për çdo individ, pavarësisht sa kohë ka qëndruar në atë bllokim.