Nga 1 janari ndryshojnë rregullat për pagesat bankare
Qytetarët dhe bizneset do të kenë më shumë kohë për të kundërshtuar transaksionet bankare që nuk i kanë autorizuar ose që janë kryer gabim. Nga 1 janari 2027, afati për paraqitjen e këtyre pretendimeve do të zgjatet nga 6 në 13 muaj.
Ligji parashikon gjithashtu rregulla më të qarta për transparencën e tarifave dhe kushteve të shërbimeve të pagesave, si dhe krijon bazën ligjore për kufizimin e tarifave të shkëmbimit në pagesat me kartë.
Një tjetër ndryshim lidhet me institucionet që ofrojnë shërbime pagesash. Pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, institucionet shqiptare të licencuara do të mund të ofrojnë shërbimet e tyre edhe në vendet e BE-së, teksa edhe institucionet europiane do të mund të operojnë në Shqipëri, sipas rregullave përkatëse.
Ligji vendos edhe kërkesa më të qarta për institucionet e parasë elektronike, përfshirë licencimin, kapitalin dhe mbrojtjen e fondeve të klientëve.